“Synojmë një portofol projektesh rreth 1 GW brenda dekadës”
Intervistë me Besnik Leskaj, Themelues dhe President i Grupit Blessed Investment
Tranzicioni energjetik në Shqipëri po hyn në një fazë të re, të shënuar nga rritja e kapaciteteve private të prodhimit, liberalizimi progresiv i tregut dhe presioni në rritje mbi infrastrukturën dhe mekanizmat e balancimit.
Në këtë realitet në transformim, energjia e rinovueshme, veçanërisht ajo diellore, është kthyer në një nga shtyllat kryesore të investimit, e nxitur nga zhvillimi teknologjik, dinamika e tregjeve globale dhe nevoja për siguri dhe diversifikim afatgjatë.
Në këtë kontekst, investitorët me përvojë, kapacitete financiare dhe vizion strategjik, po luajnë rol kyç në formësimin e tregut.
Blessed Investment Group, një grup investimesh që operon në 14 shtete, e ka vendosur energjinë e rinovueshme në qendër të strategjisë së tij të zhvillimit, duke e konsideruar atë si sektor kyç të rritjes ekonomike të qëndrueshme në Shqipëri dhe në rajon.
Nga Parku Fotovoltaik Blue 1 deri te planet për zgjerimin e kapaciteteve, diversifikimin e portofolit të energjisë dhe të investimet në ruajtjen e saj përmes baterive, ambicia e grupit shkon përtej rritjes së volumit: synimi është ndërtimi i një portofoli energjetik të integruar, fleksibël dhe të qëndrueshëm, që pritet të arrijë rreth 1 GW brenda dekadës.
Në këtë intervistë, z. Besnik Leskaj ndan qasjen e grupit ndaj investimeve në energjinë e rinovueshme, sfidat e sektorit dhe drejtimet strategjike që do të formësojnë fazën e ardhshme të tranzicionit energjetik në vend dhe në rajon.
Ju keni një përvojë të gjatë në disa sektorë duke nisur nga real estate te ndërtimi, inxhinieria dhe keni zgjeruar portofolin edhe tek energjia e rinovueshme. Çfarë ju shtyu të hynit në energjinë e rinovueshme dhe cilët ishin faktorët kryesorë që ndikuan në këtë vendimmarrje?
Faleminderit për konsideratën tuaj ndaj Grupit Blessed. Përpara se të flasim për hyrjen në energjinë e rinovueshme, mendoj se është e rëndësishme të bëhet një saktësim mbi fillesat tona në sektorin energjetik.
Rrënjët e këtij angazhimi lidhen me kompaninë Abkons, të cilën e kam themeluar në nëntor 2005 dhe e kam regjistruar në shkurt 2006 – pra fiks para 20 vjetësh.
Përmes Abkons kemi qenë të përfshirë në pothuajse të gjitha projektet e rëndësishme energjetike në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, duke ndërtuar një njohje shumë të thellë të sektorit, të aktorëve, të kuadrit rregullator dhe të dinamikave të tij teknike dhe ekonomike.
Kjo përvojë 20-vjeçare bëri që hyrja jonë në energjinë e rinovueshme të mos ishte një hap oportunist, por një zhvillim natyral. Duke njohur mirë sektorin, realizova një sërë analizash mbi evolucionin e kostos së teknologjisë fotovoltaike, eficiencën e saj, si dhe mbi çmimet e energjisë elektrike në tregjet rajonale dhe europiane.
Konkluzioni ishte i qartë: investimi kishte një rikthim pozitiv dhe një profil risku të menaxhueshëm në afat të gjatë.
Këtë konkluzion e ndava edhe me vëllain tim, i cili prej mbi 30 vitesh operon në sektorin e ndërtimit me kompaninë Matriks Konstruksion, dhe së bashku vendosëm të investojmë. Paralelisht, unë kisha identifikuar zonat dhe terrenet e përshtatshme për zhvillimin e projekteve fotovoltaike.
Që në fillim, ideja jonë ishte e qartë: të ndërtonim dhe të operonim projekte tërësisht private, pa subvencione shtetërore, në tokë private, me shitje të energjisë përmes kontratave private dhe jo publike. Ky model na lejonte fleksibilitet, disiplinë financiare dhe një lidhje direkte me tregun real të energjisë.
Në këtë kuptim, hyrja në energjinë e rinovueshme nuk ishte një ndryshim drejtimi, por një vazhdimësi logjike e një rruge profesionale dhe sipërmarrëse të ndërtuar ndër vite, e mbështetur në përvojë, analiza dhe vizion afatgjatë për të ardhmen energjetike të Shqipërisë dhe rajonit.
Projekti Blue është një nga të paktët me kapacitet të konsiderueshëm të instaluar që ka hyrë në operim tregtar në vend. Ju parashikoni zgjerim në disa faza të kapacitetit të instaluar. A mund të na jepni disa detaje mbi impiantin që është në operim (prodhimi, investimi, sipërfaqja, numër panelesh) dhe fazat e zgjerimit të tij për të arritur në kapacitetin 350 MW?
Futja në operim në maj të 2024 e Parkut Fotovoltaik Blue 1 shënon një moment historik në prodhimin e energjisë në Shqipëri, si projekti i parë dhe më i madh fotovoltaik në pronësi private në rajon, i cili operon në mënyrë të pavarur, pa subvencione qeveritare.
Projekti ndjek një qasje të tregut të lirë, ku e gjithë energjia e prodhuar shitet drejtpërdrejt në treg. Gjatë vitit 2025, kompania jonë arriti 130 MWp kapacitet të instaluar, duke u bërë kompania e parë në Ballkanin Perëndimor që përdori panele me sistem ndjekës të diellit, me financim 100% privat dhe shitje të plota në treg.
Parqet Blue, që mbulojnë një sipërfaqe totale prej 230 hektarësh në pronësi të vetë shoqërive dhe përbëhen nga 263,000 panele diellore me teknologji smart, synojnë të ndërtojnë një portofol projektesh prej rreth 1 GW në afatin e mesëm. Aktualisht, një plan strategjik prej 400 MW është në zhvillim, duke krijuar një bazë të fortë për zgjerim të mëtejshëm dhe për pozicionim konkurrues në tregun e energjisë së rinovueshme.
Investimet janë realizuar në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë, si nga (International Finance Corporation (IFC) Performance Standards) – ESIA (Environmental and Social Impact Assessment) të cilat janë kërkesë nga banka zhvillimore,EBRD, investitorë privatë, institucione financiare ndërkombëtare, si dhe standarde e certifikime mbi infrastrukturën mbështetëse.
Investimi në parkun fotovoltaik Blue 2, faza 1 dhe 2, janë realizuar nga kredia e parë sindikale në vlerën 20 milionë euro, kryesuar nga Tirana Bank në bashkëpunim me Union Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe OTP Bank Albania, të cilët gjej rast t’i falënderoj për besimin ndaj Grupit Blessed në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë në energjinë elektrike nga burime të energjisë së rinovueshme.
Investimet tona në sektorin e energjisë së rinovueshme përfshijnë edhe ndërtimin e dy nënstacioneve (110/35 kV dhe 220/35 kV) në pronësi të vetë Shoqërisë, por edhe linjat e transmetimit të energjisë për lidhjen e impianteve me rrjetin elektrik:
Investimet në linja të tensionit të lartë dhe nënstacione, të projektuara dhe ndërtuara sipas standardeve bashkëkohore ndërkombëtare krijojnë bazën e nevojshme për zgjerimin e ardhshëm të kapaciteteve fotovoltaike.
Ky kombinim i infrastrukturës së avancuar, teknologjisë inovative, financimit privat dhe vizionit strategjik e pozicionon Grupin si një aktor lider dhe referencë kryesore në sektorin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe në rajon.
A keni projekte të tjera në zhvillim apo në planifikim që lidhen me energjinë, ndoshta atë eolike? Nëse po, mund të ndani më shumë rreth orientimit të këtij portofoli në të ardhmen?
Diversifikimi i portofolit tonë të energjisë së rinovueshme është një proces i menduar me kujdes dhe i bazuar në analiza teknike, ekonomike dhe rregullatore. Përtej zhvillimit të kapaciteteve prodhuese diellore, ne po i qasemi këtij diversifikimi në mënyrë të integruar, duke vlerësuar se si asetet e reja kontribuojnë realisht në stabilitetin e sistemit energjetik dhe në nevojat konkrete të tregut.
Aktualisht, ne kemi dy projekte të cilat janë të përqendruara në energjinë e rinovueshme eolike me kapacitet 25 MW dhe synojmë që në të ardhmen të zgjerojmë më tej edhe portofolin në këtë fushë dhe pse jo, edhe hidro (HEC).
Një komponent kyç i këtyre analizave konsiston në vlerësimin e aftësisë së sistemeve të ruajtjes së energjisë për të siguruar furnizim të vazhdueshëm edhe gjatë orëve të natës për industri me konsum të vazhdueshëm.
Paralelisht, këto sisteme krijojnë mundësinë për pjesëmarrje aktive në ofrimin e shërbimeve të balancimit në mekanizmat e tregut balancues, duke kontribuar në stabilitetin e sistemit dhe në optimizimin e pozicionit tregtar të projekteve, në përputhje me zhvillimet e fundit të tregut dhe praktikat europiane
Në këtë kontekst, po investojmë në teknologjinë e ruajtjes së energjisë, sistemet me bateri, me synimin për të garantuar operimin në përputhje me kërkesat dhe kushtet e sigurisë së sistemit elektroenergjetik, duke zgjidhur në mënyrë proaktive disbalancat negative që lidhen me natyrën variabile të prodhimit nga burimet e rinovueshme.
Këto zgjidhje na lejojnë gjithashtu të optimizojmë performancën ekonomike të projekteve. Qasja jonë nuk është thjesht të shtojmë kapacitete, por të ndërtojmë një portofol të qëndrueshëm, i aftë të përshtatet me evolucionin e tregut dhe të mbështesë integrimin e energjisë së rinovueshme në mënyrë efikase dhe afatgjatë.
Në këtë mënyrë, diversifikimi i portofolit shihet si një hap natyral drejt maturimit të tregut, rritjes së sigurisë energjetike dhe krijimit të vlerës së qëndrueshme, si për konsumatorët industrialë, ashtu edhe për sistemin energjetik në tërësi, ku përfshihen dhe investime në Eolike dhe Hidro.
Në vend ka një numër të madh projektesh fotovoltaike në faza të ndryshme zbatimi apo burokracie. Në këtë kontekst, a mendoni se energjia diellore do të mbetet një investim i leverdishëm edhe në të ardhmen, apo rrezikon të ngopet tregu?
Është e vërtetë që sot po shohim një numër të konsiderueshëm projektesh fotovoltaike në faza të ndryshme zhvillimi, i cili është një tregues pozitiv i interesit të investitorëve dhe i maturimit gradual të tregut. Megjithatë, ne besojmë se pyetja nuk lidhet aq me “ngopjen” e tregut, sesa me cilësinë, strukturimin dhe integrimin e këtyre projekteve në sistemin energjetik.
Energjia diellore do të mbetet një investim i leverdishëm edhe në të ardhmen, për aq kohë sa projektet zhvillohen mbi baza të shëndosha teknike dhe financiare, të mbështetura nga studime serioze fizibiliteti dhe një kuptim i qartë i dinamikave të tregut. Jo të gjitha projektet që janë sot në letër do të arrijnë fazën e operimit, dhe kjo është një dukuri normale në çdo treg që po kalon nga faza e rritjes drejt konsolidimit.
Nga këndvështrimi ynë, avantazhi afatgjatë nuk do të jetë vetëm te kapaciteti i instaluar, por tek aftësia për të menaxhuar riskun e çmimeve, disbalancat e prodhimit dhe integrimin me zgjidhje fleksibiliteti, si magazinimi i energjisë, grupet e balancimit apo kontratat afatmesme me konsumatorë industrialë.
Pikërisht këto elemente do të diferencojnë projektet që mbeten të qëndrueshme në kohë nga ato që janë më të ekspozuara ndaj luhatjeve të tregut.
Në këtë kontekst, ne e shohim rritjen aktuale të projekteve jo si një rrezik, por si një fazë tranzitore drejt një tregu më të pjekur, ku investimet do të orientohen gjithnjë e më shumë drejt eficiencës, fleksibilitetit dhe përputhjes me standardet europiane.
Për investitorë me përvojë, vizion afatgjatë dhe kapacitete për të strukturuar projekte komplekse, energjia e rinovueshme mbetet një komponent thelbësor dhe i qëndrueshëm i portofolit energjetik.
Sektori privat po investon me ritëm të shpejtë në kapacitete të reja prodhuese, ndërkohë që kapacitetet e transmetimit dhe të shpërndarjes kanë kufizimet e tyre aktuale, duke rrezikuar një “bottleneck”. Si e vlerësoni këtë sfidë dhe cilat mendoni se janë zgjidhjet më efektive në afat të shkurtër dhe të gjatë?
Konstatimi që sektori privat po investon me ritëm të shpejtë në kapacitete të reja prodhuese është i saktë dhe kjo tregon një dinamikë pozitive të zhvillimit të energjisë në vend. Një nga pikat kritike në këtë moment është sfida e kapaciteteve kufitare dhe ndërkufitare të transmetimit.
Rritja e këtyre kapaciteteve nga ana e Qeverisë dhe OST-së është thelbësore për të shmangur “bottleneck”-et dhe për të akomoduar energjinë e prodhuar në sistemin e transmetimit.
Në afat të shkurtër, masat më efektive duhet të përfshijnë optimizimin e rrjetit ekzistues, përdorimit të sistemeve të avancuara të menaxhimit të ngarkesës dhe shfrytëzimit më efikas të kapaciteteve të interkonjeksioneve ndërkufitare me vendet fqinje.
Në afat të gjatë, zgjerimi i kapaciteteve të transmetimit dhe përforcimi i rrjetit të shpërndarjes, së bashku me integrimin e plotë në tregjet rajonale dhe mekanizmat ndërkombëtarë të tregtimit të energjisë, do të përbëjnë faktorë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit elektroenergjetik.
Këto masa dhe investime do të mundësojnë menaxhimin efikas të tepricave të prodhimit, eliminimin e kufizimeve të rrjetit dhe krijimin e kapaciteteve shtesë për eksport, duke rritur sigurinë, fleksibilitetin dhe diversifikimin e furnizimit me energji elektrike.
Me funksionimin e bursës së energjisë, liberalizimin më të gjerë të tregut dhe shtimin e prodhuesve e furnizuesve, si e vlerësoni sot maturitetin e tregut të energjisë në Shqipëri? Cilat hallka funksionojnë mirë dhe cilat kërkojnë ende përmirësim në perspektivën tuaj?
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) përfaqëson një prej reformave më të rëndësishme strukturore të dekadës së fundit në sektorin energjetik shqiptar, duke zgjeruar pjesëmarrjen, jo vetëm në entitete publike, por dhe pjesëmarrje të aktorëve privatë në industrinë e energjisë së rinovueshme.
Bazuar në të dhënat e raportit më të fundit të ALPEX, Shqipëria disponon kapacitete që i mundësojnë importin dhe eksportin e energjisë elektrike në mënyrë më fleksibël.
Bursa e energjisë ofron një mekanizëm publik dhe transparent, ku çdo operator ka mundësinë të konkurrojë për blerjen apo shitjen e energjisë në kushte të barabarta. Ky mekanizëm kontribuon në formimin e çmimeve më të qëndrueshme dhe konkurruese, duke ndihmuar në stabilizimin e tregut dhe në uljen e kostove për bizneset dhe familjet.
Një nga sfidat kryesore që shoqëron ritmet e larta të rritjes së kapaciteteve të instaluara në treg është nevoja për rritjen e likuiditetit në bursë, në përputhje me shtimin e volumeve të prodhimit vendas. Likuiditeti është një element kyç për funksionimin efikas të tregut dhe për garantimin e sinjaleve të sakta të çmimeve.
Paralelisht, një sfidë tjetër e rëndësishme lidhet me zgjerimin e kapaciteteve të transmetimit nga ana e OST, veçanërisht në drejtim të tregjeve si Kosova dhe vendet e rajonit, të cilat aktualisht, për shkak të kufizimeve infrastrukturore, nuk janë gjithmonë në gjendje të absorbojnë sasitë e nevojshme të energjisë në tregjet e lira.
Në këtë kuadër, sfida kryesore për ALPEX mbetet rritja e pjesëmarrjes së aktorëve privatë, zhvillimi i produkteve të reja të tregut dhe arritja e një integrimi të plotë rajonal, përfshirë pjesëmarrjen aktive në mekanizmin Zonal Day-Ahead Coupling.
Këto elemente janë thelbësorë për konsolidimin e rolit të ALPEX si një platformë funksionale dhe me likuiditet të lartë, duke e pozicionuar atë si nyje qendrore, jo vetëm për sigurinë energjetike të Shqipërisë, por edhe për stabilitetin, transparencën dhe integrimin e tregut energjetik në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kuadër, sfida kryesore e ALPEX mbetet rritja e pjesëmarrjes së aktorëve privatë, zhvillimi i produkteve të reja të tregut dhe arritja e një integrimi të plotë rajonal, përfshirë pjesëmarrjen aktive në mekanizmin Zonal Day-Ahead Coupling.
Këto elemente janë thelbësore për të konsoliduar rolin e ALPEX si një platformë funksionale dhe me likuiditet të lartë, duke e vendosur atë në një pozicion qendror jo vetëm për sigurinë energjetike të Shqipërisë, por edhe si një mekanizëm kyç për funksionimin e qëndrueshëm dhe integrimin gradual të tregjeve energjetike të Ballkanit Perëndimor.
Cilat janë, sipas jush, sfidat kryesore për zhvillimin e sektorit fotovoltaik në Shqipëri, veçanërisht në aspektin e procedurave të lejeve, sigurimit të tokave të përshtatshme?
Në vlerësimin tim, është e rëndësishme të njihet fillimisht një realitet pozitiv: institucionet shtetërore, përfshirë Ministrinë përgjegjëse për Energjinë dhe institucionet rregullatore, kanë mbështetur në mënyrë aktive ambiciet e sektorit privat, duke liberalizuar proceset dhe duke krijuar hapësirë për zhvillimin e shpejtë të investimeve në energjinë e rinovueshme.
Ky bashkëpunim ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka sjellë vrullin e madh të projekteve që po shohim sot në treg.
Megjithatë, pikërisht për shkak të këtij zhvillimi të shpejtë, sektori ka hyrë në një fazë të re, ku nevojitet seleksionim dhe maturim. Sot ka ardhur momenti që procesi i dhënies dhe mbajtjes së lejeve të lidhet më fort me kapacitetet reale financiare të investitorëve.
Subjekte që nuk i kanë mundësitë financiare për të realizuar projektet, por zotërojnë leje, rrezikojnë të bëhen pengesë strukturore duke bllokuar kapacitete të vlefshme të transmetimit dhe lidhjes me rrjetin.
Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt investitorët seriozë, që kanë kapitalin, mbështetjen e institucioneve financiare dhe gatishmërinë për të ndërtuar projekte konkrete në kohë të arsyeshme.
Prandaj, një mekanizëm vlerësimi që lidh lejet me progresin real financiar dhe teknik të projekteve do të ndihmonte në çlirimin e kapaciteteve të bllokuara dhe në orientimin e burimeve drejt projekteve që kanë vërtet potencial për t’u realizuar.
Në këtë fazë, sfida kryesore nuk është më thjesht procedura, por cilësia e investimit dhe serioziteti i investitorit. Një qasje e tillë do të garantonte një zhvillim më të shëndetshëm të sektorit fotovoltaik, do të optimizonte përdorimin e rrjetit dhe do të siguronte që tranzicioni energjetik të ecë paralelisht me stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe interesin publik.
Burimi : Revista Monitor