“Ligji erdhi, ne ishim gati”, si u bë POK zgjidhja digjitale e bizneseve"

Zyrat e RPAY në zemër të Tiranës nuk duken si ato të një kompanie tradicionale financiare. Nuk ka dosje të grumbulluara apo formularë me vula të kuqe. Ka monitorë, kodime dhe ritëm pune. Në muajt mars dhe prill pati edhe diçka tjetër: orë të gjata pune dhe një fokus të qartë për të qenë gati për një ndryshim të madh në treg.

Ishte pikërisht në këtë periudhë që Akil Rajdho, CEO dhe bashkëthemelues i RPAY, vendosi të ndërmarrë një nismë të dyfishtë: të përgatisë platformën POK për ligjin e ri të pagesave elektronike dhe, në të njëjtën kohë, të ndihmojë pa kosto dy nga sektorët që kanë më shumë nevojë për digjitalizim,  transportin dhe hotelerinë.

Sot, me ligjin tashmë aktiv dhe me mbi 200 mijë përdorues në platformë, Rajdho flet hapur për vendimet që morën, investimin që bënë dhe mënyrën si POK po përgatitet të zgjerohet edhe jashtë Shqipërisë.

Rajdho, më 31 maj hyn në fuqi detyrimi ligjor për hotelet, strukturat akomoduese dhe operatorët e transportit që të ofrojnë pagesa elektronike. Çfarë ndryshon konkretisht për bizneset dhe qytetarët?

 

Ky është një nga ndryshimet më të rëndësishme të viteve të fundit për ekonominë shqiptare. Ligji kërkon që bizneset të ofrojnë pagesa elektronike dhe të kenë më shumë transparencë në transaksione. Kjo do të thotë që pagesat regjistrohen, janë të verifikueshme dhe më të sigurta si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset. Për konsumatorët do të ketë më shumë siguri dhe lehtësi. Për bizneset, kjo sjell më shumë organizim dhe standarde më të afërta me tregun evropian. Shqipëria nuk po ndjek më trendet evropiane nga larg, por po përshtatet me to.

Lexo edhe: Përmbyllet Slush’D Tirana: Një hap i rëndësishëm për Inovacionin dhe Startup-et Shqiptare

 

Si u përgatit RPAY për këtë ndryshim?

Në mars u angazhua ekipi ynë me rreth 30 persona nga teknologjia, përputhshmëria ligjore dhe marrëdhëniet me klientët. Qëllimi nuk ishte të fillonim nga e para, sepse POK operon prej vitesh si institucion i licencuar i parasë elektronike. Qëllimi ishte të përmirësonim sistemin sipas kërkesave të reja. Punuam në përditësimin e sigurisë së platformës, automatizimin e auditimit të transaksioneve dhe përmirësimin e proceseve KYC. Avantazhi ynë ka qenë teknologjia. POK është ndërtuar në mënyrë fleksibël dhe kjo na lejoi të reagonim shpejt. Nuk na u desh të rindërtonim sistemin, por vetëm të përmirësonim pjesët që kërkonin ndryshim. Për këtë arsye ishim ndër fintech-et e para në Shqipëri që dolëm publikisht me mesazhin: “jemi gati”.

Gjatë marsit dhe prillit POK  lançoi edhe një program mbështetjeje për sektorin e transportit dhe hotelerisë. Si lindi kjo ide?

Lindi nga vetë bizneset. Kemi klientë nga transporti, hoteleria dhe turizmi që na kërkonin të njëjtën gjë: duam të kalojmë te pagesat elektronike, por nuk dimë nga ta nisim dhe nuk kemi buxhet për integrime teknike. Kështu nisi programi “POK për Sektorin”. Ofruam integrim falas të API-ve, Soft POS, asistencë teknike dhe trajnim për stafin. Më pas shtuam edhe mbështetje të dedikuar dhe raporte të personalizuara për përputhshmërinë ligjore.E gjithë kjo pa kosto. Ne besojmë që pagesat digjitale nuk duhet të jenë privilegj vetëm për kompanitë e mëdha.

A po shihen efektet e ligjit edhe para hyrjes së plotë në fuqi?

Po, shumë qartë. Krahasuar me vitin e kaluar, kemi mbi 35% më shumë biznese të reja që regjistrohen në POK çdo javë. Volumi mujor i transaksioneve ka kaluar 2 miliardë lekë. Rritjen më të madhe e kemi parë në hoteleri dhe akomodim. Vetëm gjatë marsit dhe prillit janë integruar mbi 180 biznese nga ky sektor. Ajo që na ka bërë më shumë përshtypje është se shumë nga bizneset që hynë fillimisht përmes programit falas, më pas kanë vazhduar si klientë të rregullt me paketa premium. Ishte një investim afatgjatë dhe po jep rezultat.

Si e shihni POK pas 12 muajsh?

Objektivi ynë është që brenda 12 muajve të jemi të pranishëm në të paktën dy tregje të reja evropiane. Jemi në diskutime me partnerë strategjikë në BE dhe fakti që operojmë sipas standardeve ligjore evropiane na ndihmon shumë në këto biseda. Për bizneset shqiptare që ende hezitojnë, mesazhi im është i thjeshtë: digjitalizimi nuk është më luks apo zgjedhje, por domosdoshmëri. Dhe nuk ka pse të jetë i komplikuar apo i kushtueshëm. POK nuk është thjesht një aplikacion pagesash. Është një partner digjital për bizneset. Dhe bashkëpunimi ynë me sektorin e transportit dhe hotelerisë gjatë kësaj periudhe e tregoi qartë këtë gjë: kur u jep bizneseve zgjidhje reale, ato përgjigjen.