“Pagesat me QR Code kanë kosto më të ulët, potencialet e fintech sidomos te tregtia elektronike”
Intervistë me Akil Rajdho, Drejtor i Përgjithshëm i RPay (POK Pay)
Teknologjia e pagesave me QR Code ku mbështeten institucionet fintech u ofron atyre një avantazh në kosto, krahasuar me infrastrukturën e Visa dhe Mastercard që shfrytëzojnë sot bankat tregtare.
Akil Rajdho, Drejtor i Përgjithshëm i institucionit të parasë elektronike RPay (POK Pay), thotë se gjithashtu mosaplikimi i kostove fikse ka ndihmuar në pranimin e kësaj teknologjie nga tregtarët.
Sipas tij, një ekonomi e dominuar nga paraja cash shtron vështirësi, por edhe mundësi, dhe sfida kryesore për institucionet fintech në këtë fazë është edukimi i klientëve për avantazhet e pagesave elektronike. Sipas tij, potencialet kryesore të institucioneve fintech janë kryesisht në tregtinë elektronike.
Si e vlerësoni zbatimin e deritanishëm të përcaktimeve të ligjit të ri për shërbimet e pagesave dhe a vlerësoni se kuadri ligjor dhe rregullator sot mundëson konkurrencë të barabartë me sektorin bankar për institucionet financiare të pagesave?
Kuadri ligjor dhe rregullator në përgjithësi është i drejtë. Ka disa aspekte ku ne jemi të diskriminuar, për shembull, te fakti që deri tani nuk jemi pranuar të ofrojmë shërbime pagesash në e-albania. Ai është një treg i rëndësishëm dhe ku ne mund të ishim më të shpejtë se bankat në përshtatjen e teknologjisë që kërkon e-albania.
Për pjesën tjetër, besoj se kuadri ligjor është i drejtë dhe i ndershëm, për aq sa na lejon licenca si institucion i parasë elektronike.
Çfarë pritshmërish keni nga aplikimi i bankingut të hapur?
Pritshmëritë tona për momentin janë pak skeptike. Ne mendojmë që në këtë fazë, vetëm 2% deri në 5% e përdoruesve do të jetë në gjendje të përdorë funksionet e reja që do të ofrojë bankingu i hapur.
Ne jemi gjithashtu skeptikë që bankingu i hapur do të fillojë realisht të zbatohet sipas parashikimeve ligjore, në fillim të vitit të ardhshëm.
Në teori, bankat mund të jenë gati, por kur një fintech të paraqitet për bashkëpunim dhe integrim, mund të ketë vonesa dhe zvarritje të gjata. Çështja në vetvete përfshin teknikalitete që mund të shkaktojnë vështirësi dhe bllokime. Mendoj se shumë do të varet nga vullneti i mirë që do të kenë bankat e vaçanta për ta bërë këtë gjë.
Si i vlerësoni potencialet e pagesave elektronike në tregun shqiptar, duke vlerësuar një shkallë ende të lartë të informalitetit dhe përdorimit të parasë cash për transaksionet ekonomike?
Një mjedis i tillë sigurisht që është njëkohësisht vështirësi, por edhe mundësi. Sfida kryesore është edukimi i klientit.
Mendoj se duhet të ketë fushata nga sektori, por edhe nga Banka e Shqipërisë për të mundësuar një ulje të përdorimit të parasë cash. Ulja e përdorimit të cash do të sillte përfitime të mëdha në drejtim të luftës ndaj informalitetit dhe krimit ekonomik e financiar.
Edhe individët duhet ta kuptojnë se mundësia për t’i kryer pagesat në kanalet dixhitale është lehtësi dhe komoditet.
Deri në këtë fazë, ne jemi përpjekur të japin incentiva për klientët që kryejnë pagesa nëpërmjet nesh me bonuse apo kuponë, që mund t’i përdorin për blerjet e tyre. Kohët e fundit, ne kemi përfshirë edhe shërbimin e marketplace.
Për momentin, ky përfshin shërbime të porositjes së ushqimit, por shumë shpejt do ta zgjerojmë me industri të tjera, si veshjet, pajisjet elektronike, farmaceutike, etj. Duam të krijojmë atë që quhet SuperApp, që do t’i mundësojë klientit të përmbushë çdo nevojë nga telefoni celular.
Cilat mund të jenë avantazhet e mundshme konkurruese të institucioneve financiare të pagesave ndaj bankave?
Institucionet fintech kanë aktualisht një avantazh në kosto. Pagesat që bankat iu mundësojnë tregtarëve dhe klientëve të tyre varen nga infrastruktura e Visa dhe Mastercard, që kanë kosto të larta, madje edhe kërkesa shtesë që shkojnë edhe përtej kërkesave të legjislacionit shqiptar.
Vetëm kostot që aplikojnë Visa dhe Mastercard janë afërsisht 1.6-1.7% e vlerës së transaksionit. Pagesat me kartë bankare gjithashtu kanë edhe një kosto fillestare dhe mirëmbajtjeje të terminalit POS.
Nga ana tjetër, ne si fintech, duke mos qenë domosdoshmërisht pjesë e Visa apo Mastercard, kemi kosto më të ulëta. Ne punojmë nëpërmjet pagesave me QR Code.
Nuk kemi nevojë për një pajisje POS, por për të pranuar pagesa me QR Code, mjaft të printohet një copë letër.
Përveç kostos, kjo na jep edhe avantazhin e shpejtësisë. Nëse banka ka nevojë për javë të tëra për të arritur dhe për të zbatuar marrëveshjen me një tregtar, ne mund ta ofrojmë shërbimin për klientët tanë për pak orë.
Ne kemi një rrezik më të ulët të lidhur me pastrimin e parave, sepse nuk pranojmë pagesa cash në infrastrukturën tonë. Mbushja e llogarive në POK mund të bëhet vetëm nëpërmjet kanaleve bankare.
Kur e nis biznesin nga zero, sigurisht që ky fillim është shumë sfidues. Nëse ti do t’i ofrosh shërbimin një klienti individ, ai do të pyesë: ku mund të paguajë me POK? Nëse shkon te një tregtar, ai pyet: kush do paguajë tek unë me POK? Kështu, në fillim je në një rreth vicioz.
Megjithatë, ne kemi arritur të hedhim hapat e parë, edhe falë faktit që tregtari nuk ka asnjë kosto fikse për të ofruar blerje me POK, pra, nuk ka asgjë për të humbur.
Ai paguan komision vetëm për shitjet që ka realizuar nëpërmjet shërbimit tonë të pagesave. Për fat, shohim që ka tregtarë që janë vizionarë dhe e kuptojnë se e ardhmja u takon pagesave elektronike.
Cilat segmente të tregut të pagesave shihni më shumë potenciale për depërtimin e institucioneve fintech?
Për ne, potenciali më i madh është pjesa e tregtisë elektronike. Ne kemi krijuar infrastrukturën e nevojshme që cilado platformë shitjesh online apo aplikacion të integrohet dhe të pranojë pagesa nëpërmjet nesh.